Grabitja e bankes / Arrestohet roja i sigurise

2018-05-10 2

Një ditë pas grabitjes së bankës në ambientet e zyrave qëndrore të Hipotekës në Tiranë, një punonjës i kompanisë private të sigurisë u arrestua ngta policia. Roja me inicialet F.F. 48 vjeç, u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi nuk ka reaguar në momentin e grabitjes ndaj personit që sulmoi zyrat e Agjencisë ADISA, pranë Hipotekës së Tiranës.

Përgjegjësi i sigurisë së sallës operative të kompanisë private, 61 vjeç me inicialet R.K. është proceduar penalisht në gjendje të lirë nga policia. Hetuesit e Policisë së Tiranës kanë marrë dëshmitë e disa personave që ndodheshin në ambientet e katit të parë të Hipotekës, në momentin e grabitjes. Sipas rrëfimit të tyre, agresori mbërriti me një çadër me të cilën kishte mbuluar fytyrën.

Pasi e la jashtë, ai rregulloi kapuçin dhe hyri brenda. Fillimisht kërcënoi punonjësin e sigurisë dhe më pas i drejtoi armën punonjësve të zyrës së informacionit. Një punonjëse e Agjencisë ADISA, i tha Tv Klan në kushte anonimati se të gjithë u detyruan të ulnin kokat.

Agresori iu drejtua sportelit të bankës, ku më pas edhe i drejtoi armën shitëses në kokë, të cilën e kërcënoi. Pasi mori paratë, autori u largua por nga shpejtësia u përplas me derën e jashtme, e cila hapet me shinë automatike.

Autori, sipas dëshmitarëve okularë, ishte me trup të dobët dhe rreth 1.70 cm i gjatë. Veç deklarimeve të dëshmitarëve, ekspertët e policisë kanë marrë si provë edhe çadrën e përdorur me shpresën se në të mund të gjejnë gjurmë apo mbetje biologjike që mund të ndihmojnë hetimin. Ndërkaq në lidhje me ngjarjen, policia ka shoqëruar rreth 30 persona, të cilët pasi janë pyetur janë lënë të lirë nga policia.