TIRANE - Kryeprokurorja me mandat të përkohshëm Arta Marku ka zhvilluar takimin e parë me gazetarët pas marrjes së detyrës.
Përpara përfaqësuesve të medias, ku i pranishëm ishte edhe gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, Marku është shprehur se prioritet i saj do jetë zbatimi i ligjit, ndërsa ka paralajmëruar surpriza në organin e akuzës pas furtunës së pak ditëve më parë. "Prioriteti im është të zbatoj ligjin", tha ajo.
"Do të ketë shumë ndryshime dhe do shihni surpriza. Nuk do jenë vetëm ato lëvizje që janë bërë deri tani. Nëse do jem neutrale dhe e pavaruar politikisht këto do t'i tregojë puna ime dhe rezultatet", sqaroi kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku.
Duke komentuar këto lëvizje në organin qendror të akuzës dhe prokuroritë e rretheve, Marku tha se ata e dinë arsyen e largimit, ndërsa sqaroi se nuk është personalisht ajo shkaku i tensionit të shkaktuar me të larguarit. "Tensioni më të larguarit s'është krijuar prej meje por prej ligjit. Ata që janë larguar e dinë arsyen dhe po ashtu dhe ata që kanë ardhur në detyrat e reja e dinë arsyen".