Vetëm pak minuta para shpërthimit që la 8 të plagosur në lagjen Rus të Shkodrës, një person me skafandër në kokë la pranë vendit të ngjarjes motoçikletën ku ishte vendosur pakoja me 300 gram eksploziv.
E parkoi pranë trotuarit mjetin dhe u largua me hap të shpejtë, pa e hequr skafandrën nga koka.
Hetuesit thonë se ai ka qenë në dijeni të faktit se në zonë kishte kamera sigurie. Po ashtu, nuk ka dashur që të shihej nga qytetarët që gjendeshin aty. Kamerat kanë filmuar disa nga lëvizjet e tij, derisa sa zhduket mes rrugicave, por ai nuk mund të identifikohet.
Policia po mbledh filmime të kamerave të tjera përgjatë rrugës ku është parë të largohet, në përpjekje për të gjetur të dhëna që mund të çojnë në zbulimin e tij. Po këqyret në detaje edhe motoçikleta ku ishte vendosur bomba, në përpjekje për të gjetur gjurmë të lëna prej atentatorit.
Shënjestër e atentatit besohet se ishte Lulzim Kulla, 42 vjeç, i njohur në zonë pasi është përfolur për disa vepra penale. Ai shihet në këto pamje, teksa po tërhiqet zvarre nga vendi i ngjarjes.
Ai mori plagë të renda dhe po kurohet në Spitalin e Traumës në Tiranë.
?Ka ardhur me dëmtime, djegie të ekstremiteteve të poshtme dhe sipërme. Ka shembje të mushkërive, probleme me veshët dhe sytë. Jemi në fazën e stabilizimit të gjendjes. Paraqet djegie të shkallës së parë dhe të dytë në masën 20- 25 për qind. Pas konsultës që bëmë me mjekët e djegie plastikës vendosëm të mbajmë pacientin në reanimacion. Aktualisht reagon dhe mund të komunikojë?, tha Jorgo Marga, shef i reanimacionit.
Sapo gjendja e tij të stabilizohet, ai do të merret në pyetje nga policia. 7 personat e tjerë që mbetën të plagosur nga shpërthimi i fuqishëm, janë gjithashtu jashtë rrezikut për jetën.
Pas atentatit, blutë e Shkodrës morën në pyetje të paktën 9 dëshmitarë. Pista kryesore e hetimit është aktiviteti i 42-vjecarit Lulzim Kulla dhe konfliktet që ai mund të ketë pasur nga përfshirjet e mundshme ne aktivitete të dyshimta.
Tv Klan