Nga Lezha ku u mbajt ceremonia e 105 vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama deklaroi se largimi i policëve të inkriminuar nga radhët e policisë së shtetit do jetë baza e punës së mandatit të dytë qeverisës.
"Ky është një proces i cili do të nisë së shpejti dhe është për ne po aq i rëndësishëm sa Vettingu që ka filluar në drejtësi. Krimi nuk mund të luftohet me prokurorë e gjykatës të korruptuar, nuk luftohet as me drejtorë, shefa komisariatesh e policë të korruptuar. Vettingu do largojë policët e përfshirë në veprimtari kriminale apo në burime të pajustifikuara të pasurisë. Kjo do të jetë baza e mandatit të dytë. Në fund të mandatit do i themi shqiptarëve se kjo është policia e Republikës së Shqipërisë, një polici e standardeve të BE", u shpreh Rama i cili shtoi se në katër vite qeveria reformoi policinë, ndërsa pranoi se në radhët e saj ka pasur edhe të korruptuar e të lidhur me krimin.