Vetingu/ Ministri Xhafaj: Puna e policise nuk njolloset nga nje grup i vogel

2018-05-10 0

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka shprehur bindjen se vetingu në Policinë e Shtetit do ta reformojë këtë trupë duke e pastruar nga punonjësit pa integritet.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e 105-vjetorit të Policisë së Shtetit, Xhafaj u shpreh se puna e policisë nuk mund të njolloset nga një pjesë e vogël e punonjësve pa integritet.

"Sot pas më shumë se një shekulli kemi rastin të themi me krenari se Policia e Shtetit ja ka arritur t'i mbijetojë sfidave. Trupa e policisë është fizikisht në frontin e parë të luftës kundër krimit.

Në radhët e Policisë së Shtetit gjenden shumë burra dhe gra që punojnë me ndershmëri dhe përkushtim. Puna e tyre nuk mund të njolloset nga një grup i vogël. Policia e Shtetit do t'ia dalë të fitojë dhe këtë betejë me vetveten.

Rezultatet e arritura në vitin që lamë pas konsistojnë në minimumin historik të vrasjeve, në uljen e numrit të aksidenteve. Apeloj fuqishëm për të ndalur dhunën verbale ndaj Policisë së Shtetit nga kushdo", u shpreh ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.