Qeveria ?Rama 2? është zhvendosur në Lezhë në fundjavë në një mbledhje dy ditore, që është kthyer në traditë me marrjen e mandatit të dytë. Mbledhja ka si qëllim njohjen e kabinetit qeveritar me problemet e zonës. Mbledhja zhvillohet të premten dhe të shtunën, ndërsa ka nisur pasditen e sotme në orën 16:00 në ambientet e bibliotekës.
Në përfundim të mbledhjes, kryeministri Edi Rama njoftoi për mediat edhe vendimet që kishte marrë qeveria në mbledhjen e sotme. Mbështetja për agro-turizmin, porti i Shëngjinit, debati për tepsinë, protesta e banorëve të Torovicës, por edhe investimet në qark ishin pjesë e mbledhjes dhe vendimeve.
Rama u shpreh se qeveria ka miratuar një projekt për rindërtimin e portit të Shëngjinit, ndërsa theksoi se ashtu si në Durrës dhe këtu duhet një reformë e thellë, pasi është një nga shembujt e tepsisë, ndërsa kërkoi hetim për keqqeverisjen në administrimin që është bërë. "Ka një proces të hapur penal për portin e Durrësit, ku është bërë një hata e madhe dhe prokuroria të bëjë punën e vet dhe këtu rruga e ndëshkimit duhet të jetë pjesë e këtij procesi". Porti i Shëngjinit në mandatin e parë të qeverisë Rama u drejtua nga përfaqësues të zgjedhur nga LSI, që ishte aleatja kryesore në bashkëqeverisje.