Report TV - Marku takim kokë më kokë me Xhafajn te Ministria e Brendshme

2018-05-10 1

Operacioni i bujshëm policor 'Forca e Ligjit', i cili ka në fokus luftën ndaj grupeve kriminale dhe sekuestrimin e pasurive të tyre, ka vënë në lëvizje disa nga zyrtarët e lartë të shtetit. Kryeprokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, ka shkuar këtë mesditë në zyrën e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ku ka zhvilluar një takim, shoqëruar dhe nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, kreu i komanduar i SHISH, Helidon Bendo, dhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Janë dosjet e 38 bandave kriminale të identifikuara, që veprojnë brenda dhe jashtë vendit, që kanë ulur në tryezë zyrtarët e mësipërm, të cilët kanë gati planin e veprimit kundër krimit të organizuar, që përfshin ekspertët më të mirë në fushën e hetimit. Report Tv bën me dije nga burime se ministri Xhafaj ka njohur Markun dhe ministrat me 38 dosjet e krimit, si dhe ka kërkuar informacion nga SHISH dhe DPPP.

Report Tv mësoi se takimi mes Markut, Gjonajt, Ahmetajt, Bendos e Xhafajt zgjati rreth 45 minuta dhe në fokus të tij kanë qenë grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri dhe jashtë saj, si dhe pasuritë e tyre të pajustifikuara, të vëna në rrugë kriminale.

Free Traffic Exchange