Deputeti socialist, Xhemal Qefalia i cilëson të drejta lëvizjet në Prokurori nga Arta Marku pavarësisht se mandati i saj është i përkohshëm.
I ftuar në studion e Report Tv, Qefalia tha se Marku ka fuqi ligjore për vendimmarrje deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. "Prokurorja është në krye të detyrës, për aq kohë sa të krijohet KLP. Opozita kundërshtoi me forcë, por e dënuan edhe ndërkombëtarët këtë qëndrim. Edhe pse është e përkohshme, kryeprokurorja ka fuqinë e saj deri në krijimin e KLP", tha Qefalia.
Duke komentuar protestën e paralajmëruar nga opozita në datën 27 janar, Qefalia tha se organizatorët duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të mos cenojnë ligjin e qytetarët. "Protesta është ogur i mirë për opozitën, është e drejta e saj të organizojë protesta. Duhet të jenë protesta të cilat të mos cenojnë opinionin publik. Në një vend demokratik protestat janë të nevojshme", tha ai.