Report TV zbardh dy formularët që do të plotësojnë 12 mijë policët, ku do të deklarojnë pasurinë si dhe do të pyeten për pastërtinë e figurës së tyre. Në formularin për pasurinë, shefat e policisë dhe të gjithë punonjësit e tjerë, do deklarojnë pronat e blera ose të trashëguara, makinat që përdorin dhe paratë që kanë në llogaritë bankare.
Po kështu në formular, shefat e policisë dhe oficerët do të tregojnë udhëtimet që kanë kryer jashtë shtetit në 3 vitet e fundit, përfshirë familjarët e tyre. Edhe shkollat private brenda apo jashtë vendit ku kanë arsimuar fëmijët, policët duhet ti specifikojnë në formularin për pasurinë.
Duke filluar nga data 1 janar 2012, policët do bëjnë publike nëse kanë biznese apo borxhe ndaj personave të tjerë. Një tjetër formular i rëndësishëm që do plotësohet nga uniformat blu, është edhe ai për kontrollin e figurës.
Në formularin e dytë policët do specifikojnë nëse kanë pasur emër tjetër, apo ndonjë nofkë që e kanë thërritur nga personat e tjerë. Gjithashtu do tregohen të gjitha adresat e banimit, të dhënat për arsimit si dhe të gjitha punët që kanë kryer nga data 1 janar 2012. Ashtu si ligji i dekriminalizimit për deputetët, policët duhet të shkruajnë në formularë, nëse janë dënuar ndonjëherë, apo janë ndaluar brenda dhe jashtë Shqipërisë.