Një shpërthim me lëndë eksplozive ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Vlorës. Lenda plasëse ishte vendosur në derën e jashtme të një dyqani bosh, që më parë kishte tregtuar mobilje të përdorura. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në lagjen Lef Sallata.
Shpërthimi ishte i fuqishëm, por fatmirësisht ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Dëmtime kanë pësuar edhe objekte të tjera pranë objektit që ishte në shënjestër.
Dyqani ku u vendos lënda eksplozive ndodhet në katin e parë të një ndërtese dy katëshe. Në katin e dytë të godinës ndodhet një palestër, e cila ka pësuar gjithashtu dëmtime.
Pista kryesore në të cilën po punon aktualisht policia mësohet se është ajo e një konflikti pronësie. Disa muaj më parë pronari i saj ka ndërruar jetë dhe dyshohet që konflikti për pronësinë mund të ketë nisur pikërisht këtu.
Policia po heton edhe pista të tjera. Grupi hetimor ka sekuestruar pamjet filmike të disa kamerave të sigurisë të vendosura në zonë, por mësohet se ato nuk kanë mundur të filmojnë autorët.
Tv Klan