Shkaku i kësaj situate ishte bllokimi i rrjedhës së përroit të Gjokës nga ndërtimet e godinave të biznesit. Zyrtarët e prefekturës dhe bashkisë së Vorës që administron këtë zonë, deklaruan në ditët e emergjencës se do të merren masa të menjëhershme.
Kjo që shihni pas shpinës sime është ura e Limuthit. Bllokimi i kësaj ure u bë shkak për përmbytjet e pak kohëve më parë. Por megjithëse ka kaluar më shumë se një muaj nga përmbytjet e fundit, akoma nuk është marrë asnjë masë për zhbllokimin e kësaj ure.
Por ndërhyrjet duket se nuk do të jenë të lehta aq më shumë që punimet janë zhvilluar me leje nga ish komuna që administronte këtë zonë.
Biznesmeni: Në qoftë se kapet muri këtu, muri im, do hapen telashe të tjera.
Biznesmeni: Leje tash atë punë ene hajt.
Biznesmeni: Unë jam në punë time o vlla se e kam biznes or shok
Gazetari: Ke bllokuar lumin apo jo? E ke bllokuar apo jo?
Biznesmeni: Ore leja është leje ndërtimi edhe me tapi.
Gazetari: E ke me leje ndërtimin?
Biznesmeni: Po!
Klan plus kontaktoi edhe me Drejtues të Bashkisë Vorë për të cilët thonë se janë bërë disa ndërhyrje në zonë, por janë të pamjaftueshme për të krijuar një siguri të plotë nga përmbytjet.
Sipas Bashkisë Vorë situata e krijuar nga përmbytjet në zonën pranë City Park nuk mund të menaxhohet vetëm nga ky dikaster por kërkon bashkëpunim me shumë institucione për të rehabilituar zonën në mënyrë që përroi mos të shkaktojë përmbytje në autostradë.
Emergjente sipas Bashkisë është heqja menjehërë e trafikndarësve prej betoni përgjatë 2 kilometrave dhe vendosja e guardrail-eve prej hekuri në mënyrë që të bëjë qarkullimin e ujit në autostradë dhe jo bllokimin e saj.
Për këtë sipas Bashkisë Vorë duhet bashkëpunim me IKMT, Ministrinë e Infrastrukturës dhe me Autoritetin Rrugor dhe aktualisht janë në bisedime.
Situata ende nuk është stabilizuar dhe nëse shpejt përballemi me reshje me intensitet të lartë atëherë mund të përsëritet serish i njëjti skenar përmbytjeje.
Klan Plus
Gazetar: Renaldo Salianji