TIRANE - 27-vjetori i "Rilindjes Demokratike" ka mbledhur mbrëmjen e sotme politikanë, gazetarë dhe ish-gazetarë të gazetës së parë opozitare, në një pritje të organizuar nga PD.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetari i PD, Lulzim Basha, ish-kryedemokrati, Sali Berisha si dhe gazetarë e analistë. Nuk kanë munguar as kryertarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe kreu i grupit parlamentar të kësaj force politike, Petrit Vasili. Mes të pranishmëve ishte dhe ish-kryeredaktori i RD e njëherazi, ish-deputeti demokrat, Astrit Patozi. Pavarësisht raporteve tendencioze mes tyre, Basha dhe Patozi kanë shtrënguar duart përpara të pranishmëve si dhe kanë shkëmbyer batuta megjithëse shkurtimisht.
Pavarësisht kësaj, ish-deputeti dhe ish-kryeredaktori i Gazetës ?Rilindja Demokratike?, Astrit Patozi, sqaroi praninë e tij në cermeoninë e organizuar nga PD, ndërsa rezervoi kritika për lidershipin e Bashës.
"Sot është ditë e gëzueshme, evitohen fjalët e hidhura, jam këtu për të nderuar RD, jo si gazetar por si njeri në Shqipëri që di çfarë është liria e medias. Dikur në përvjetorët e gazetës ftoheshin gazetarët, tani i fton partia, nuk është shenjë e mirë për PD e udhëhequr nga Basha, as për gazetën. Duke kujtuar ditën e parë të RD mendoj se nuk është e vështirë magjia që bëri që shqiptarët e prisnin si thesar, nuk ka magji, ka qenë etja për shpresë, atëherë shqiptarët e kuptuan shpresën tek opozita. Sot opozita e Bashës nuk është në këtë lartësi për të ngjallur shpresë", u shpreh Patozi.