Ankesat e qytetarëve në adresë të zyrave të regjisitrimit të pasurive të paluajtshme kanë çuar në shkarkimin e 8 punonjësve të Hipotekave. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj gjatë një deklarate për mediat, në të cilën tha se gjatë tre muajve të fundit të vitit 2017 janë paraqitur 207 ankesa.
Ministrja Etilda Gjonaj: ?Janë konstatuar shkelje të ligjit dhe vonesa të tejskajshme dhe të pajustifikuara në trajtimin e disa prej tyre. Për 15 ankesa të zgjidhura vetëm gjatë muajit Dhjetor, zvarritjet janë disa vjeçare, në shkelje të hapur me ligjin. Të vendosur për të goditur shkeljet e ligjit dhe veprimet korruptive, sot kam marrë masat administrative deri në shkarkimin e tyre, për 8 punonjës të zyrave të Hipotekave në rrethet: Elbasan, Lushnjë, Fier, Durrës, Tiranë, Pogradec, Korçë dhe Shkodër që kanë pasur në trajtim këto raste?.
Po nga ankesat e qytetarëve, nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka pasur edhe shkarkime të tjera.
Ministrja Gjonaj ka paralajmëruar sërish për tolerancë zero ndaj punonjësve që shkelin ligjin dhe zvarrisin të interesuarit, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë në portal çdo rast abuziv.