Report TV - KQZ vendos nesër për heqjen e mandatëve për Aqif Rakipin dhe Gledion Rahovicën

2018-05-10 0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë të mërkurën në mesditë për fatin e dy deputetëve Gledion Rehovica dhe Aqif Rakipi, për të cilët prokuroria e përgjithshme kërkon ndërprerjen e mandatit.
KQZ do të mblidhet për të marrë në shqyrtim 5 vendime të prokurorisë, dy që kërkojnë heqje mandati për Rehovicën dhe Rakipin, dhe tre të tjera që arrijnë në konkluzionin se zyrtarët nuk preken nga dekriminalizimi. Përkatësisht, ish deputetët Omer Mamo e Mhill Fufi si dhe kryebashkiaku i Pogradecit, Eduard Kapri.

Sipas vendimit të prokurorisë, të dy deputetëve ju janë marrë shenjat e gishtave në shkurt dhe i janë dhënë Interpolit. Në datën 22 dhjetor Interpol Roma solli të dhëna interesante për dy deputetët.

Për deputetin e PDIU-së, Rakipi Interpol Roma thotë se ai është raportuar për vjedhje me emrin Skënder Ejylbegaj. Vjedhja në fjalë ka ndodhur në 03.11.1998, kohë kur deputeti ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka qenë emigrant në Itali.

Deputeti i LSI-së, Gledion Rehovica sipas Interpol Romës, është i raportuar për vjedhje dyqani me emrin Kusta Mina në 27.02.1999, kohë kur vetë deputeti ka deklaruar se jetonte në Itali si student.