KAVAJE - Nga Kavaja Lulzim Basha dha mesazhin se 2018-a për opozitën do të jetë viti i bashkimit me shumicën e shqiptarëve për ta çliruar Shqipërinë nga krimi, njësoj si Kavajën. Entuziazmin e qytetarëve të Kavajës Lulzim Basha e përktheu si një rizgjim të shqiptarëve për të mos toleruar më aleancën e Edi Ramës me krimin, i cili e ka bazuar mbajtjen e pushtetit tek shkatërrimi i votës së lirë dhe reformës në drejtësi. Kreu i opozitës tha se ky është qëllimi pse Edi Rama shkeli Kushtetutën për të emëruar një kryeprokuror nën kontrollin e tij.
?Edi Rama i trembet hetimit deri në fund të Saimir Tahirit. Edi Rama i trembet, zbulimit, ekspozimit dhe më pas hetimit të lidhjeve të publikuara, të njohuara e akoma të paekspozuara të tij me politikanët e lidhur me krimin dhe të tij me vetë krimin?- tha kryetari i Partisë Demokratike. Lulzim Basha e barazoi qeverinë Rama me të keqen më të madhe qe i ka ndodhur vendit në këto 27 vjet, sepse për pushtetin dhe pasurimin e tij, ndërtoi Aleancën me Krimin, shndërroi Shqipërinë në hambar droge, shkatërroi ekonominë dhe varfëroi më shumë shqiptarët.