Paditen penalisht dy deputetët Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica - News, Lajme - Vizion Plus

2018-05-10 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kallëzuar penalisht dy deputetët Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica. Burimet thanë se Njësia e Dekriminalizimit i ka kallëzuar dy ligjvënësit për vepra penale të falsifikimit të dokumenteve të formularëve të vetedeklarimit.



Dy deputetët, Aqif Rakipi i PDIU dhe Gledion Rehovica i LSI-së, sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme, rezultojnë se janë ndaluar në Itali për vjedhje.



Në dokumentet që organi i akuzës i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkon heqjen e mandatit të deputetit për dy ligjvënësit, thuhet se si Rakipi, ashtu dhe Rahovica, kanë përdorur emra të tjerë, kur janë arrestuar në Itali.



Prokuroria zbuloi ndalimet në Itali, pasi mori përgjigje nga Interpol Roma, nga verifikimeve të kryera me kërkesë të palës shqiptare, duke krahasuar shenjat e gishtërinjve të dy ligjvënësve.



Prokuroria sqaron se Rakipi është raportuar më datën 3 Nëntor 1998, për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhura, me gjeneralitetet Skënder Ejylbegaj. Sipër akuzës, subjekti rezulton se nuk e ka deklaruar këtë informacion, edhe pse ka pasur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në formularin e vetedeklarimit.



Ndërsa deputeti i LSI-së, Rahovica, ka përdorur emrin Kusta Mina, kur është ndaluar po në Itali, për veprën e vjedhjes së një dyqani, në 27 shkurt të vitit 1999. Edhe Rehovica nuk e ka pasqyruar këtë dënim në formularin e vetedeklarimit.



Nisur nga këto fakte, Prokuroria konstaton se dy deputetët gjenden në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit të deputetit.



Kërkesa për heqje të mandatit të deputetit, mbërriti të një ditë më parë në KQZ. Gjatë paradites së kësaj të mërkure, KQZ ka zhvilluar një mbledhje informale me strukturën e posaçme, e cila funksionon pranë institucionit, për të vlerësuar dokumentet e Prokurorisë.



Sipas ligjit, KQZ është institucioni i cili shqyrton dhe merr një vendim për heqjen ose jo të mandatit të deputetit, pas shqyrtimit të dosjeve të mbërritura nga prokuroria e Përgjithshme.