Xhafaj: Krimi ne Elbasan s’ka marre pergjigje, Çapjat dhe Çelajt nuk simbolizojne qytetin

2018-05-10 0

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka deklaruar se kriminaliteti në Elbasan nuk ka marrë ende përgjigjen e merituar, por sipas tij kjo do të ndodhë shumë shpejt.

Duke folur për gazetarët nga Elbasani, ministri bëri me dije se Drejtoria e Policisë së këtij qyteti do të ristrukturohet tërësisht dhe për këtë po bëhet një projekt pilot, duke pasur parasysh edhe situatën kriminale në këtë qark.

?Elbasani pati një situatë jo pozitive të kriminalitetit, situtatë që ende s?ka marrë përgjigje dhe zgjidhjen e duhur. Këto janë gjëra që nuk bëhen brenda ditës, duan kohë që të kemi një projekt sa më realist. Sa i përket kriminalitetit, mbetemi të shqetësuar për këtë problematikë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka komanduar këtu disa prej ekspertëve më të mirë?, u shpreh ministri i Brendshëm.

Xhafaj foli edhe për familjet Çapja dhe Çela në Elbasan, mes të cilave ka pasur vazhdimisht përplasje kriminale. Sipas kreut të Ministrisë së Brendshme, këto dy familje nuk simbolizojnë qytetarët e ndershëm të Elbasanit dhe shumë shpejt do të përgjigjen para drejtësisë nëse janë të përfshirë në veprimtari kriminale.

?Ata që i quani ju jo Çapja apo Çelajt nuk mund të simbolizojnë këtë qytet, njerëzit me vlera siç është Elbasani. Ai dhe të tjerë që janë përfshirë në veprimtari kriminale të jeni të sigurtë që do marrin përgjigje të merituar?, deklaroi ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Kujtojmë se tre ditë më parë në Elbasan u shënua rasti i fundit i një atentati të dështuar ndaj fisit Çapja. Persona të paidentifikuar tentuan të vrisnin Ardian Çapjan, por ky i fundit fatmirësisht u shpëtoi plumbave.

E gjithë kupola drejtuese e Drejtorisë së Policisë Elbasan u shkri pas ngjarjes me Audin e blinduar më 18 Shtator, që përplasi makinën e nëndrejtorit të policisë së Elbasanit. Kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako komandoi nëndrejtorin e Përgjithshëm të Policisë për Rendin dhe Sigurinë, Altin Qaton, për drejtimin e punës në Elbasan deri në riorganizimin e plotë të kësaj drejtorie policore.