Shefat dhe drejtorët e Policisë do të japin llogari para qytetarëve për sa i përket situatës së kriminalitetit në çdo zonë. Burime të Report TV nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se u është dhënë urdhër shefave të komisariateve që çdo 1 muaj të zhvillojnë takime me qytetarët për të diskutuar për situatën e kriminalitetit dhe problemet që kanë banorët. Takimet do të zhvillohen në lagje ose në salla të mbyllura, ku qytetarët do ftohen të marrin pjesë.
Edhe drejtorët e Policisë në qarqe do të japin shpjegime 1 herë në 6 muaj. Drejtorët do të zhvillojnë takime me qytetarët në kinema ose salla të mëdha. Shefat e komisariateve dhe drejtorët do ti përgjigjen pyetjeve të qytetarëve, por edhe do të tregojnë para tyre për situatën e kriminalitetit. Drejtorët dhe shefat e policisë do të raportojnë për veprat penale dhe do tregojnë me emra cilët janë grupet kriminale në qytet dhe çfarë është bërë për ndalimin e këtyre grupeve.