Deri në ditët e fundit të vitit 2017-të, bizneseve u janë falur 350 milion dollarë detyrime tatimore. Shumica e tyre janë fshirje automatike e borxheve që kanë patur tatimpaguesit para vitit 2010-të, ndërsa 105 milion dollarë janë falje e gjobave dhe kamatave, për sipërmarrësit që kanë paguar principalin. Në një intervistë për televizionin Klan, nëndrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, thotë se kjo shifër pritet të vijë në rritje gjatë ditëve të fundit të këtij muaji, kur është edhe afati i fundit i efektit të ligjit të faljes.
Pas shumë kohësh Drejtoria e Tatimeve ka arritur të zgjidhë edhe problemin për ndërmarrjet që ishin çregjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit por që nuk ishin hequr nga regjistri i tatimeve, çka prodhonte çdo vit gjoba automatike për ta.
Në total numri i tatimpaguesve që kanë përfituar nga ligji për faljen dhe fshirjen e detyrimeve tatimore arrin 154 mijë. Borxhi tatimor në fund të vitit 2016-të zuri 10% të prodhimit kombëtar, ndërsa në fund të këtij viti ai pritet që të lehtësohet me 30%.