Qytetarë të shumtë janë mbledhur sot para Piramidës, në Tiranë, në shenjë proteste, pas ndarjes nga jeta të 23-vjeçarit Florenc Beqiraj në Francë, pas një jave në koma.
Përfaqësues të shoqërisë civile, por edhe familjarë të Florencit, i kanë bërë thirrje shtetit të ndihmojë familjen e viktimës në Shkodër, e cila nuk ka mundësi të marrë trupin e pajetë të të birit. ?Kërkojmë të dalë e vërteta për vdekjen e Florencit. I bëj thirrje shtetit të kthehet sa më shpejt djali", tha me lot në sy njëri prej tyre.
Pas Kryeministrisë, protestuesit iu drejtuan bllokut të ambasadave për të protestuar përpara përfaqësisë diplomatike të Francës. Tubuesit nuk u lejuan nga policia të futeshin brenda perimetrit të ambasadave, ndërsa nuk munguan fyerjet dhe sharjet e protestuesve ndaj uniformave blu. Në hyrje të bllokut të ambasadave ndodheshin të përqendruara forca të shumta policie, ndër to edhe "Shqiponjat" për të shmangur një incident të mundshëm të protestuesve te ambasada franceze.