Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Kryetari i opozitës Lulzim Basha informoi ambasadorët e 5 vendeve anëtare të Bashkimit Europian për qëndrimin e Partisë Demokratike kundër zgjedhjes antikushtetuese të një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm.
Në një takim në selinë e Partisë Demokratike me përfaqësuesit diplomatikë të Gjermanisë, Francës, Austrisë, Italisë dhe Greqisë, zoti Basha i njohu ata me veprimet e qeverisë që çuan në një puç kushtetues, që ka futur në krizë sistemin e drejtësisë, ka shkatërruar proçesin politik në vend dhe po prodhon një krizë destablizuese për vendin.
Sipas Bashës, 3 hapat e puçit kushtetues janë, vonesa e qëllimshme për mosngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, uzurpimi i kompetencave të KLP-së nga Parlamenti, zgjedhja e një Prokurori të Përgjithshëm me shumicë të thjeshtë dhe pa kaluar vetingun.
Basha pohoi se të gjitha këto veprime kanë qenë të paramenduara dhe të planifikuara nga Edi Rama për të zgjedhur një kryeprokuror që kontrollohet plotësisht prej tij, me qëllim shkatërrimin e hetimeve për dosjet kriminale të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos dhe politikanëve të tjerë të lidhur direkt me vetë Ramën.
Kryetari i PD tha se opozita ka faktuar me vepra dhe jo me fjalë se ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit europian, përfshirë edhe çeljen e negociatave të anëtarësimit, por zoti Basha theksoi se proçesi është plotësisht në dorën e qeverisë, e cila duhet të përmbushë 5 prioritetet, që nuk varen aspak nga opozita.
Basha theksoi se interesat e shqiptarëve dhe të Bashkimit Europian, shërbehen vetëm duke dënuar kthimin e Shqipërisë në një vend të drogës dhe krimit, duke mos toleruar lidhjet e qeveritarëve me drogën dhe krimin dhe duke kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të tyre.
Për më shumë lexoni në: http://oranews.tv/article/basha-i-palekundur-para-ambasadoreve-qeveria-puc-kushtetues-me-kryeprokurorin