Një 85-vjeçare ka humbur tragjikisht jetën në fshatin Bitinckë të Devollit, pasi banesa e saj është përfshirë nga flakët. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 22:30 të mbrëmjes së kaluar, ku ka mbetur viktimë e moshuara Shyqyrie Bletaj, rreth 85 vjeç.
Në vendin e ngjarjes ka shkuar menjëherë zjarrfikësja, për të bërë të mundur fikjen e zjarrit, si edhe shërbimet e Policisë. Por si pasojë e flakëve ka gjetur vdekjen shtetasja e mësipërme, e cila jetonte e vetme në këtë banesë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se kemi të bëjmë me ngjarje aksidentale. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.