Ora News - Editorial nga ARENA: Prokurorja e re dhe surpriza e Vitit të Ri

2018-05-10 0

Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT

Nëse kishte një risi parlamenti shqiptar të hënën që shkoi, ishte përpjekja e Sali Berishës për të marrë fjalën dhe pengesa që i bëri garda. Shqipëria ka parë sulmet mbi repartet ushtarake në vitin 97, sulmin mbi institucione; armët në parlament kur Gafur Mazreku qëllonte mbi Azem Hajdarin, Ilir Meta që mësynte Jozefina Topallin e deri bilbilat e socialistëve. Por asnjëherë Sali Berisha nuk është përballur fizikisht me kundërshtarët dhe është kujdesur të ruajë distancën fizike.

Më shumë se mungesë ndjekësish të shefit shpirtëror të demokratëve, kjo tregoi se çështja e drejtësisë për opozitën është jetike dhe mbart në thelbin e saj shumë probleme. Së pari është frika se një prokuror i komanduar nga pozita do të rihapë edhe njëherë çështje të cilat në të shkuarën kanë qenë arma kryesore e opozitës së Edi Ramës. Por më shumë sesa pasoja ligjore, ajo do ketë efekt psikologjik mbi rradhët e saj. Individë të saj të mbajtur nën presionin e drejtësisë shkaktojnë demoralizim të frontit opozitar.

E ndërkohë nuk duhet harruar se ky prokuror mund të bëjë nul disa dosje të hapura në ngarkim të socialistëve. Kjo do të squllë armët e sulmit të selisë blu.

Ndërkohë ajo që bëri më shumë përshtypje të hënën ishte rishfaqja e Monika Kryemadhit. Kush ka kujtësë politike e mban mend se edhe në kohët kur ishte pjesëtare e socialistëve, Kryemadhi ka qenë organizatore masash dhe njeri i aksionit. Por ngritja e bashkëshortit të saj në hierarkinë e të majtës, e detyroi që të tërhiqej në skalionin e dytë. Ishte një periudhë inkubacioni e më shumë se një dekade. Ndërsa sot, ajo ka të gjithë hapësirën të shfaqë dhuntitë e saj, ku politika e mënyrave të forta është një nga atributet. Shqiptarët kishin kohë pa parë një sulm aq spektakolar të një deputeti mbi qeverinë. Monika nuk di të organizojë vetëm spektakle mitingjesh por edhe protestash.

Por Lsi-ja ka një problem shtesë krahasuar me demokratët. Ata kanë qenë në pushtet tetë vjetët e fundit. Pra nëse demokratët janë pak a shumë të qetë me drejtësinë përjashto disa raste të krerëve të tyre që gjithsesi nga ana formale janë procese të mbyllur, për rradhët e lësëistëve sapo ka filluar. Fakti që Damian Gjiknuri, njeriu i afërt i Edi Ramës, çon në prokurori dosjet e tre ish drejtuesve të ardhur nga rradhët e aleatëve të derivonshëm, është vetëtima e parë e rebeshit që do të bjerë mbi kokën e të kuqve të Kryemadhit.

Për më shumë lexoni në: http://oranews.tv/article/editorial-nga-arena-prokurorja-e-re-dhe-surpriza-e-vitit-te-ri