Kreu demokrat, Lulzim Basha, i është përgjigjur ambasadorit Donald Lu, pas kritikave të këtij të fundit për protestën e djeshme të opozitës, duke i thënë se në SHBA një qeveri e lidhur me krimin do të ishte rrëzuar dhe një ministër si Saimir Tahiri do të ishte në burg. Në një dalje për media, Basha akuzoi ashpër kryeministrin Edi Rama, teksa deklaroi se ai është i vetmi që ka dhunuar Kushtetutën dhe ligjin, dhe jo opozita.
Sipas kreut të PD, dje nuk u zgjodh kryeprokurore Arta Marku, por vetë Edi Rama, me qëllimin për të mbuluar politikanët e lidhur me krimin. Basha e cilësoi nul votimin e djeshëm nga mazhoranca në Kuvend, duke shtuar se kjo zgjedhje antikushtetuese tregon se Rama është në panik se po dalin fakte të reja të lidhjes së Tahirit me bandat kriminale.