Rama: Zgjedhja e Kryeprokurores e ligjshme, sot një pikë e humbur në sytë e Europës

2018-05-10 0

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për mediat pas zgjedhjes së Kryeprokurores së Përgjithshme me mandat të përkohshëm, Arta Marku në një situatë të tensionuar në Kuvendin e Shqipërisë. Kreu i qeverisë i kërkoi ndjesë ndërkombëtarëve për skenat e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë mdhe protestën përpara Kuvendit, sjellje të cila ai i quajti tentativë për të bllokuar reformën në drejtësi.

"Dua t?iu kërkoj sot ndjesë të gjithë shqiptarëve, por edhe ndërkombëtarëve, për shfaqjen me të fundit të përpjekjes së dëshpëruar të bllokimit të reformës në drejtësi. Faturën e kësaj shfaqjeje e merr gjithë Shqipëria, e cila është më afër se kurrë BE dhe nuk meriton as baltën e as tymin e kësaj opozite, që prej dy vitesh udhëhiqet nga frika e reformës në drejtësi", tha Rama, i cili shtoi se maxhoranca bëri përpjekjet e saj për të ulur opozitën në tryezën e dialogut.

"Bëra sa munda për të çelur dialogun me opozitën, lidhur me zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm, as kërkesa e SHBA e BE për të gjetur një zgjidhje me mirëkuptim nuk mjaftuan dot për të sjellë opozitën në tryezën e dialogut", theksoi kryeministri i cili e quajti turpëruese qëndrimin e opozitës i cili sipas tij është qëndrim kundër SHBA dhe BE. "Zgjedhja e prokurores së përgjithshme me mandat të përkohshme me vetëm votat tona ishte legjitime, kushtetuese, e konfirmuar edhe nga misionet e drejtësisë SHBA e BE, të cilat asistojnë që nga dita e parë procesin e vështirë të reformës në drejtësi. Por nuk ishte zgjedhja e dëshiruar, pasi donim zgjedhje me mirëkuptim përmes dialogut me opozitën, të cilën e ftuam pa pushim. Për ne nuk kishte rëndësi të respektonim Kushtetutën, por ishte me rëndësi që këtë detyrim ta përmbushnim bashkërisht. Jemi në një moment shumë të rëndësishëm, presim çeljen e negociatave. Çdo shfaqje si kjo e sotmja është një pikë e humbur. Opozita zgjodhi rrugën e dëshpëruar të baltës e tymit, ku nuk kurseu as përfaqësuesit e SHBA e BE, duke arritur të akuzojë dhe vetëm ambasadorin e SHBA", tha kreu i qeverisë.