Pas takimeve të ngjeshura mes dy ministrave të Jashtëm shqiptar dhe grek ka ardhur rezultati i parë.
Qeveria shqiptare ka vendosur të financojë plotësisht një operacion të kërkimit dhe rivarrosjes së ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke. Kjo ka qenë një ndër temat e nxehta që ka shkaktuar gjithnjë përplasje mes dy vendeve.
Në mbledhjen e fundit, qeveria ka miratuar kërkesën e hershme të Greqisë: varrosjen e ushtarëve grekë të vrarë gjatë luftës italo-greke të vitit 1940 në Shqipëri.
Sipas vendimit, Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Infrastrukturës janë ngarkuar të shpronësojnë trojet ku do të varrosen ushtarët grekë, ndërsa Ministria e Brendshme ngarkohet për kërkimin e eshtrave të ushtarëve së bashku me bashkitë përkatëse.
Ky proces do të asistohet nga ekspertë nga Greqia, ndërsa sipas vendimit të qeverisë prefektët e qarqeve ku ka të rënë grekë, duhet të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme.
Shpenzimet do të përballohen nga buxheti i shtetit, ndërsa vendimi parashikon që në bashkëpunim edhe me palën greke çdo vit më 28 tetor të zhvillohet ceremoni përkujtimore.
Vendimi vjen në një kohë kur ka patur deklarata të forta nga Greqia duke vendosur madje edhe kushte për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Ndërkohë vendi ynë është në pritje të një date për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Klan Plus