Dëshmia e bashkë të pandehurit Fatmir Dibra ka nxjerë zbuluar pjesën tjetër të anëtarëve të grupit kriminal, i cili i ka treguar prokurorisë me detaje mënyrën e funksionimit të mbledhjes së gjobave.
I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime në prezencë të mbrojtësit ka deklaruar se ka qenë i punësuar nga ana e shtetasit Ibrahim Lici për të ruajtur dhe mbledhur lekët te tregtarët e Tregut të Zdrales. Kjo ka zgjatur katër muaj pasi Ibrahimi në fillim të vitit 2017 e ka hequr nga puna. Ky shtetas sqaron se çdo fillim muaji së bashku me shtetasit Gëzim Vajushi dhe Denis Skutina mblidhnin nga 5000 deri në 10000 lekë të reja te çdo tregtar edhe këto para ja dërgonin shtetasit Ibrahim Lici.
Ibrahimi u paguante Fatmirit dhe Gëzimit nga 200.000 lekë të vjetra për këtë punë, ndërsa paguente edhe Denis Skutinën. Listën e personave e mbante Denis Skutina. Kush nuk paguante një muaj do të paguante muajin tjetër. Ka patur shtetas që kanë kundërshtuar por muajin tjetër të gjithë kanë paguar. Sipas këtij shtetasi shuma e mbledhur çdo muaj nga ana e tyre ka variuar nga një million e treqind deri në një milion e katërqind mijë lekë të vjetra.