Veliaj: Do vazhdojmë me intensitet të lartë projektin për mbjelljen e pemëve

2018-05-09 1

Thirrjes së Bashkisë së Tiranës që kushdo që zotëron një makinë të dhurojë dy pemë, i janë përgjigjur jo vetëm bizneset dhe sipërmarrjet, por edhe përfaqësitë e huaja diplomatike në Tiranë.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe përfaqësia e OKB-së në Tiranë i kanë dhuruar Bashkisë së Tiranës 2 pemë për çdo makinë që zotërojnë dhe përdorin në Tiranë, të cilat janë mbjellë në Parkun e Madh të Liqenit Artificial. Në mbjelljen e pemëve morën pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Drejtoresha e PNUD, Limya Eltayeb dhe Brian J. Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, si dhe stafi përfaqësive në Tiranë.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi gatishmërinë e shprehur nga këto organizma ndërkombëtare për të kontribuar në mbjelljen e pemëve si një masë edhe për të patur një mjedis më të pastër dhe të jetueshëm në Tiranë. ?Jam shumë i lumtur sot që Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe i gjithë stafi i tyre në Tiranë na janë bashkuar për mbjelljen e pemëve në Parkun e Liqenit. Sapo kemi hapur një shteg të ri, të cilin po e gjelbërojmë në të dyja anët dhe ato i janë përgjigjur sfidës tonë. Sfida jonë ishte, kush ka një makinë duhet të mbjellë dy pemë. Kështu që, për të gjitha makinat e Kombeve të Bashkuara që qarkullojnë në Tiranë kemi marrë mbrapsht dy pemë?, u shpreh ai.