http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Për herë të parë qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët.
Pritet që dy kabinetet qeveritare të nisin diskutimet rreth orës 15.00 të premten, në Pogradec, duke u fokusuar tek marrëdhëniet dypalëshe dhe forcimi i raporteve.
Në nisje të mbledhjes do të ketë një fjalim nga Edi Rama dhe Zoran Zaev.
Kryeministri shqiptar ka bërë të qartë se do të kërkojë vijimin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit edhe në Maqedoni. Po ashtu, do të diskutohen projektet zhvillimore rajonale, si pjesë e Procesit të Berlinit.
Pas mbledhjes, do vijohet me nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit mes dy qeverive.
Pritet të konkretizohet një plan bashkëpunimi dhe konsultimi edhe mes dy ministrive të Jashtme.
Po ashtu, mësohet se do të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit në raste fatkeqësish, si dhe nje memorandum mes Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve.
Më pas, krerët e qeverive do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Axhenda parashikon që paraditen e së shtunës, të zhvillohet një vizitë në Pustec, ku jeton minoriteti maqedonas.
Kjo mbledhje vjen pas takimeve të ekzekutivit të Tiranës me atë të Prishtinës, më 27 nëntor në Korçë. Ndërkohë që më 23 nëntor qeveria e kryeministrit Zaev pati një mbledhje të përbashkët me atë të Bullgarisë në Strumicë.