Besnik Muçi është një nga katër kandidatët për Kryeprokuror të Përkohshëm i cili ka zyrtarizuar kandidimin këtë të martë, pak orë përpara skadimit të afatit.
Pas dorëzimit të dosjes pranë Kuvendit, prokurori i Krimeve të Rënda foli ekskluzivisht për Report Tv ku u shpreh se nëse zgjidhet në krye të organit të akuzës, sfidë e tij mbetet kthimi i besimit të qytetarëve, politikës dhe partnerëve ndërkombëtarë te institucioni i Prokurorisë.
"Objektiv, kthimin e besimit të qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë te institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme. Nuk e di nëse do më votojnë apo se kë do votojë politika, por Prokuroria mund të kthehet në institucion model dhe i besueshëm te partnerët ndërkombëtarë", u shpreh Muçi, duke theksuar se do luftojë të gjitha llojet e krimit dhe korrupsionit.