Në 27-vjetorin e themelimit të partisë demokratike, kreu i saj Lulzim Basha ftoi të gjithë demokratët që të bëhen bashkë për tu ringritur. Kreu i selisë blu tha se të gjithë anëtarët e saj duhet të bashkohen drejt një vizioni të ri duke u mbështetur tek parimet e demokracisë që mbart kjo forcë.
?Ndaj sot dua të ftoj çdo demokrate dhe demokrat, krenarë për vlerat që na bashkojnë, i vetëdijshëm për përgjegjësitë që më takojnë, që të punojmë të gjithë bashkë për Partinë Demokratike, bijën dhe luftëtaren e paepur të Lirisë dhe Demokracisë. Në themel të këtij projekti le të vendosim parimet e demokracisë, transparencës, vendim-marrjes gjithëpërfshirëse, llogaridhënies si parimet që do të udhëheqin partinë tonë. Ora më e errët është ajo para agimit. Kështu ishte 27 vite më parë. Kështu është edhe sot. Pikërisht sot kur shpresa duket e vrarë si asnjëherë tjetër ne deklarojmë me përgjegjësi bindjen tonë se fundi i të keqes është më afër se kurrë dhe se një ardhme e re po troket për qytetarët tanë. Le të jetë kjo ditë e 27 vjetorit tonë, dita e një vendimi të madh në zemrën e çdo demokrati dhe demokrate për tu bashkuar, për të guxuar për të punuar si asnjëherë tjetër për këtë ditë të re.?
Por në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Kongreseve ra në sy mungesa e themeluesve të Partisë Demokratike si Arben Imami, Genc Ruli dhe Eduart Selami, si dhe një prej ikonave të kësaj partie, si ish-nënkryetarja Jozefina Topalli, apo dhe ish-nënkryetari tjetër Astrit Patozi. Në pritje munguan edhe ish-ministrat Majlinda Bregu, Ridvan Bode dhe Besnik Mustafaj.
Tv Klan