Ish-kreu i komisionit hetimor për skandalin CEZ, Taulant Balla, dhe ish-juristi i OSHEE, Romeo Kara, kanë dalë nga Gjykata e Tiranës, ku kërkuan të mos pushohet hetimi për këtë skandal nga Prokuroria. Jashtë dyerve të gjykatës, ish-juristi Kara hodhi akuza të forta ndaj prokurores që mbylli hetimin ndaj skandalit CEZ, duke thënë se ajo nuk e ka lexuar fare dosjen prej më shumë se 5 mijë faqe.
Romeo Kara theksoi se Prokuroria nuk ka dashur të konstatojë dëmet e mëdha të shkaktuara nga ky skandal, ndaj dhe ka mbyllur çështjen.
?Emailet e Nuel Kalajt kompromentojnë tërësisht çështjen. Prokuroria nuk ka dashur të konstatojë se ka dëmet. Komisionet e transparencës janë ngritur në kundërshtim me ligjin. Nuk ka pasur dëshirë as të komunikojë me mua. Konstatoj se një dosje mbi 5 mijë faqe nuk mund të studiohet për dhjetë ditë, më 29 prokurorja kërkoi pushimin e çështjes. Për mua prokurorja nuk e ka lexuar dosjen, ka marrë një porosi politike nga zyrat dhe skutat e errëta të Prokurorisë.
Kërkoj që opinioni publik të marrë përgjegjësitë e veta, populli të marrë përgjegjësitë e veta, po luhet me pasuritë e tij. Janë bërë dëme të pafund, është bërë një procedurë e dështuar. Nuk mban kush përgjegjësi, populli të marrë përgjegjësitë e veta, unë do jap argumente?, tha Kara.
Nga ana tjetër, edhe ish-kreu i komisionit hetimor të skandalit të CEZ, Balla, hodhi akuza të forta ndaj Prokurorisë, teksa bëri një sërë pyetjesh në lidhje me hetimin e mbyllur nga organi i akuzës.