Ora News - Sejko: Shqipëria kostot më të larta në rajon për remitancat, sillen në kanale informale

2018-05-09 1

Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT

Emigrantët shqiptarë i sjellin të ardhurat në Shqipëri në mënyrë informale.Guvernatori i bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi se kjo situatë vjen pasi Shqipëri ka koston më të lartë të dërgimit të parave në rajon.Për të përmirësuar situatën Sejko premtoi angazhim të Bankës së Shqipërisë .Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko i kërkoi sistemit bankar që të prezantojë si duhet mundësitë e investimeve sidomos në diasporë.

Emigrantët shqiptarë i sjellin të ardhurat pranë familjeve të tyre në mënyrë informale për shkak të kostos së lartë.Shqetësimi është ngritur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili deklaroi se Shqipëria ka kostot e më të larta të dërgimit të parave krahasuar me rajonin. Për të ndryshuar situatën Banka e Shqipërisë kërkoi përmirësim të legjislacionit.

Sejko: Sipas vrojtimit të Bankës Botërore të kryer në vitin 2016, është arritur në konkluzionin se arsyet për përdorimin e ulët të kanaleve bankare janë kostot e larta të transferimit të parave, dhe se procedurat e transferimit vlerësohen të koklavitura. Për ta konkretizuar, sipas këtij studimi, kostot e dërgimit të remitancave në Shqipëri vlerësohen në 9.4% të shumës së dërguar, krahasuar me një mesatare të rajonit, në nivelin 7.2%.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që sa më shumë të rritet përdorimi i kanaleve financiare, aq më shumë rritet depërtimi i financave në ekonomi. Për më tepër, rritja e përdorimit të kanaleve financiare ndihmon në rritjen e përfshirjes financiare të popullatës, duke rritur mundësitë për kursime dhe investime sa më produktive.

Duke vlerësuar përfitimet që rrjedhin nga depërtimi formal i remitancave në ekonomi, dhe kontributin e deritanishëm të sektorit bankar dhe financiar, Banka e Shqipërisë sugjeron një vëmendje më të shtuar në drejtim të reduktimit të kostove të transfertave, dhe përmirësimit ose dizenjimit nga e para të produkteve dhe shërbimeve të dedikuara për këtë segment të popullatës. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë angazhohet në modernizimin e mëtejshëm të infrastrukturave të sistemeve të pagesave, apo përshtatjen e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian, në funksion të një tregu të hapur, pa barriera dhe konkurrues.

Për më shumë lexoni në: http://oranews.tv/article/bsh-dhe-ministria-e-diaspores-memorandum-mirekuptimi-remitancat