Report TV - Droga dhe krimi që Shqipëria eksporton në BE, arsyeja për mos hapjen e negociatave

2018-05-09 0

Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka dalë në një deklaratë për mediat duke akuzuar qeverinë pas publikimit të raportit të Europol-it për drogën. Alibeaj shprehet se pa nxjerrjen para drejtësisë të Tahirit, Dakos, Sejdinit, Habilajve dhe Balilajve nuk ka hapje negociatash.
?Europol konfirmoi se Shqipëria vijon që të mbetet burimi i kanabisit. Raporti thotë se tregu i drogës në BE është 24 mld euro se kanabisi përbën pjesën më të madhe të tregut dhe se Shqipëria është burimi kryesor. Raporti rikonfirmoi se nuk është opozita që po i nxin faqen vendit, por qeveria.

Shqipëria është burimi kryesor i drogës se ky është prioriteti i kryeministrit. Shqipëria duhet të negocionte për BE, por është burim i drogës sepse ky ishte dhe vazhdon të jetë prioritet i Ramës. Vendi u bë burim pastrimi parash, pjesën më të madhe e zotëron Rama.

Droga dhe krimi që Shqipëria eksporton në BE është arsyeja kryesore që i mohohet hapja e negociatave. BE po kërkon cdo ditë luftë kundër drogës dhe nxjerrjen para drejtësisë të të paprekshmëve. Ata po e thonë qartë që nuk hapen negociatat nëse nuk nxirren para drejtësisë Tahiri, Dako, Sejdini, Habilajt dhe Balilajt? deklaroi ai.