Ka mbërritur pasditen e sotme në aeroportin "Nënë Tereza" kampionia e botës në peshëngritje, Romela Begaj, e cila mori medalje ari në botërorin e zhvilluar në SHBA.
Por përveç gazetarëve, atje nuk është parë asnjë politikan dhe as ka patur ndonjë organizim për të pritur ashtu siç e meritojnë kampionët, me nderime dhe ceremoni. Kjo, sidoqoftë, nuk e ka penguar aspak kampionen tonë të deklarojë se medalja e arit ishte për të gjithë shqiptarët.
"Medalja e artë nuk ishte vetëm për mua por për Shqipërinë", tha Begaj. Ajo tregoi se është stërvitur për një vit rresht për të arritur titullin e kampiones së botës, një arritje kjo e merituar e që duhet vlerësuar nga çdo njeri.
"Jam shumë e lumtur që arrita këtë rezultat, të dal kampione bote me medalje të artë dhe nënkampione. U vlerësua sakrifica ime. E kam marrë me gjak këtë rezultat dhe nuk ishte e lehtë", tha Begaj, e cila shprehu synimin për medaljen olimpike.