Goditja e makines se policise ne Elbasan, Krimet e Renda shpallin moskompetence

2018-05-09 1

Shfryhet dosja e ngjarjes së 18 Shtatorit në Elbasan, ku makina e nëndrejtorit të policisë së këtij qarku u godit nga një mjet i blinduar. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencë për hetimin ndaj katër personave, të cilët u arrestuan si autorë të dyshuar.

Pas gati tre muajsh hetime, për Enea Bekteshin, i cili pranoi se ishte ai në drejtimin e mjetit, Kelmend Xhaferrin, Valmir Dedjan dhe Ledio Zabelin nuk u gjeten prova për akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë, ndaj punonjësit të policisë.

Ata do të hetohen nga Prokuroria e Elbasanit, për akuzat e kundërshtimit të forcave të policisë dhe largim nga vendi i aksidentit. Pavarësisht se fillimisht u dyshua se sulmi ndaj policisë ishte i organizuar, nuk u gjet asnjë provë deri tani.

Në 18 Shtator, në hyrje të tregut agro-ushqimor, ku ishte vendosur një postbllok policie, një mjet i blinduar hyri me forcë brenda duke mos iu bindur urdhrit të policisë. Por reagimi i punonjësve të policisë ishte mjaft i dobët, pasi nuk bënë arrestimin në flagrancë të personave që ndodheshin në Audin e blinduar.

Një muaj pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shkriu policinë e Elbasanit, duke liruar dhe shkarkuar nga detyra 10 punonjës policie. U lirua nga detyra drejtori i policisë së qarkut Arben Dashi, ndërsa zëvendësi i tij Gjergj Oshafi, makina e të cilit u godit u shkarkuar nga detyra.