Komisioni i Ligjeve ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës hapjen e procedurave për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.
Opozita e quajti antikushtetues këtë veprim të mazhorancës dhe braktisi mbledhjen përpara votimit.
Socialistët hapen procedurën për zgjedhjen e zëvendësuesit të Kryeprokurorit Adriatik Llalla, me argumentin se atij i ka përfunduar mandati 5-vjeçar dhe nuk ka asnjë hapësirë ligjore për shtyrjen e tij.
Me ndryshimet kushtetuese, kryeprokurori zgjidhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për një mandat 7-vjeçar dhe votohet nga Kuvendi me 84 vota. Por në kushtet kur ky Këshill nuk është ngritur ende, për shkak të mungesës së kandidaturave nga shoqëria civile, mazhoranca i referohet dispozitës kalimtare nr.109, e cila parashikon zgjedhjen e një Prokurori të Përkohshëm.
Por këndvështrimet mes palëve ndahen për një presje. Sipas Oerd Bylykbashit, Neni 109 nuk është i aplikueshëm, pasi ai parashikon zgjedhjen e një Prokurori të Përkohshëm vetëm kur Prokurorit në detyrë i ndërpritet mandati para kohe dhe aktualisht nuk jemi në këto kushte.
Argumentet ligjore që sjellin përfaqësuesit e mazhorancës me atë të opozitës nuk përputhen në asnjë pikë.
Pavarësisht se të dyja palët kërkuar reflektim, socialistët për ta zgjedhur sëbashku Prokurorin e Përkohshëm dhe opozita, që Komisioni të mos e ndërmarrë këtë hap, Komisioni vetëm me votat e anëtarëve të mazhorancën vendosi që për 5 ditë, të gjithë kandidatët e interesuar të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm. Më pas do të ketë një seancë dëgjimore dhe kandidatët që plotësojnë kriteret, t?i çohen parlamentit për votim.
Kryeministri Edi Rama, një ditë më parë i kërkoi opozitës të ulen në një tryezë për një pakt kombëtar, për integrimin, ku pikënisje të jetë zgjedhja me konsensus e Prokurorit të Përkohshëm, duke nënvizuar se mazhoranca mund ta votojë atë edhe e vetme, me shumicë të thjeshtë. Këtë pozicion, Kryeministri e përforcoi këtë të enjte, duke folur për mediat gjatë vizitës së tij në Bullgari.
Por me qëndrimin e saj në Komisionin e Ligjeve dhe një letër drejtuar Kuvendit për të kundërshtuar procedurën, opozita duket refuzuese ndaj kësaj ftese, të paktën përsa i përket zgjedhjes së kreut të Prokurorisë së Përgjithshme.