Një ditë pas shkresës ku 7 mjekë të Urgjencës lajmëruan dorëheqjen nga detyra, si pasojë e mbingarkesës dhe kushtëve të papërshtatshme të punës, situata vazhdon të jetë e njëjtë.
Brenda dhe jashtë dyerve të Urgjencës ka me dhjetra pacientë dhe familjarë që tregojnë se fluksi është i madh, e ndonjeherë nuk mund të marrin shërbim me ditë të tëra.
"Qëndrova tre ditë këtu, pastaj më çuan atje dhe më bënë koronaren", thotë që qytetar. "Duhet të më bëjnë operacion, nuk më bëjnë gjë sepse nuk ka vend", thotë një tjetër. "Ka katër ditë që e kemi sjellë këtu, akoma nuk ia kanë përcaktuar diagnozën, i sëmurë është shumë", tregon një qytetare.
Kamerat nuk lejohen të filmojnë brenda shërbimit të Urgjencës, e po ashtu edhe mjekët janë urdhëruar nga Ministria e Shëndetësisë që të mos prononcohen. Për pasojë mjekët që kanë firmosur shkresën për dorëheqje nuk kanë reaguar, nëse i qëndrojnë apo jo këtij vendimi.
Por në mbështetje të tyre kanë dalë kolegët, të cilët pohojnë se fluksi në shërbimin e Urgjencës dhe ngarkesa në shërbime si Kardiologjia, shpesh i detyron ata të mbajnë në pavionet e tyre pacientë me diagnoza të ndryshme.
"Hapim vende të lira jo vetëm për rastet me diabet, apo tiroide, por dhe për raste të tjera, si shërbime të tjera më të rënda, kardiologjia etj."
Një ditë më parë në shërbimin e Urgjencës, ishin hapur 70 kartela për shtrim në Kardiologji, në një kohë kur ky shërbim numëron vetëm 60 shtretër në total.