Bushati: Presim negociatat në pranverë - News, Lajme - Vizion Plus

2018-05-09 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati shpreh besimin se 2018-a do të jetë një vit vendimtar për shpresat e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim. Në një shkrim botuar në platformën europiane online, ai thekson se shqiptarët janë të vetëdijshëm se hapja e negociatave është vetëm fillimi i një procesi të gjatë dhe sfidues të të mësuarit.



?Ne dëshirojmë që BE të njohë potencialin tonë si një partner, duke hapur negociatat e anëtarësimit gjatë pranverës së vitit 2018. Mirëpresim faktin që zgjerimi i Ballkanit Perëndimor është një prioritet kyç i Presidencës Bullgare dhe besojmë se 6 muajt e ardhshëm do të jenë me rëndësi vendimtare për ne. Komisioni Evropian do të paraqesë Strategjinë e Zgjerimit në shkurt të 2018. Presim një dokument me vizion të qartë dhe që Ballkani Perëndimor dhe veçanërisht Shqipëria, të jenë pjesë e këtij vizioni. Gjithashtu shpresojmë të marrim një rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e negociatave në raportin e Komisionit Evropian në prill, dhe që Këshilli Evropian të marrë një vendim për të hapur negociatat. Mosarritja e këtij objektivi do të ishte një mundësi e humbur?



Shefi i diplomacisë shqiptare kujton miratimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese në funksion të zbatimit të reformës në drejtësi, një ndër kriteret kryesore për çeljen e negociatave.



?Pavarësisht pengesave dhe rezistencës së shfaqur, zbatimi i reformës në gjyqësor ka filluar duke krijuar komisionet e Vetting-ut, me ndihmën dhe mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve. Unë besoj se ajo që kemi arritur deri më tani përbën një bazë të shëndoshë për punën e mëtejshme në kuadër të negociatave për anëtarësim lidhur me kapitujt 23 dhe 24 me Bashkimin Evropian. Jemi gati të përparojmë në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Reforma e gjyqësorit do të ketë gjithashtu një ndikim të drejtpërdrejtë në arritjet tona në fusha të tjera, siç është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar?



Në analizën e tij, ministri Bushati shprehet i bindur se rigjallërimi i procesit të zgjerimit është katalizator për zhvillim. E në të njëjtën kohë, thotë Bushati, është edhe një kundërvënie e fuqishme ndaj narrativës së shpërbërjes, e nxitur nga idetë populiste dhe propaganda e palëve të treta në shtete antievropiane.