Rreshjet e shiut kanë shkaktuar problem me energjinë elektrike në disa qytete të vendit, duke sjellë stakime të sistemit elektrik në ato zona ku uji ka prekur kabinat. Rreth 31 fidera rezultojnë të stakuar. Më i prekur është qyteti i Fierit me 10 fidera të stakuar, më pas është pjesa e periferisë së Tiranës me 5 fidera.
Në Shkodër nuk furnizohen me energji 5 fidera që mbulojnë kryesisht zonat e thella malore. Po në zona të thella ka problematikë edhe në rajonin e Korçës ku janë të stakuar 3 fidera, në atë të Burrelit, Vlorës dhe Gjirokastrës ku ka respektivisht nga 2 fidera pa energji.
Në rajonin e Elbasanit dhe në atë të Kukësit ka nga 1 fider pa energji.
Të gjithë fiderat që furnizojnë me energji elektrike konsumatorët e rëndësisë së veçantë janë në punë e po ashtu edhe linjat e që furnizojnë hidrovoret.
Në veri dhe verilindje intensiteti i reshjeve ka rënë dhe për pasojë është ulur intesntiteti i prurjeve edhe në basenin e hidrocentralit të Fierzës.
Sipas Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, niveli i ujit ka arritur në 274 m ndërsa prurjet janë në masën e 600 m3/s.
Në hidrocentralin e Komanit prurjet janë 250 m3/s ndërsa kuota është në 172 m. Prurjet më të ulëta janë regjistruar në hidrocentralin e Vaut të Dejës, rreth 50 m3/s ndërsa kuota ka arritur në 75m. KESH thote se në asnjë nga tre hidrocentralet nuk ka shkarkime.
Tv Klan