Reforma zgjedhore perplas PD me aleatet

2018-05-09 0

Përpara arritjes së një konsensusi me mazhorancën Partia Demokratike do të duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me aleatët e saj lidhur me reformën zgjedhore. Që në mbledhjen e parë pas konstituimit të komisionit që u mbajt vetëm pak minuta i hapur për mediat u shfaqën edhe përplasjet e para. Për bashkëkryetarin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, demokratin Oerd Bylykbashi përdorimi i teknologjisë si dhe dekriminalizimi i zgjedhjeve duhet të jenë kryefjalë e këtij procesi.

Identifikimi biometrik, votimi dhe numërimi elektronik janë një domosdoshmëri që duhet të marrin zgjidhje nga ky komision. Futja e teknologjisë në zgjedhje do të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në proceset elektorale.

Por aleati i demokratëve, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi vendos një tjetër prioritet në krye të punës së komisionit.

?Numërimi elektronik është një çështje teknike, gjithçka duhet të nisë nga sistemi që është kryefjala e reformës. Do të rrimë tek ky sistem që kemi, apo do ta ndryshojmë atë? Ky ndryshim sjell më pas automatikisht edhe depolitizimin e komisioneve?.

Aleatët e opozitës më herët i kanë kërkuar Lulzim Bashës ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor. Kreu i LZHK-së mbështet idenë e një sistemi mazhoritar, ndërsa demokristiani Nard Ndoka atë kombëtar preferencial. Partitë e kampit opozitar janë shprehur gjithashtu pro listave të hapura.