Përkeqësimi i motit dhe reshjet e dendura të shiut, kanë detyruar Ministrinë e Arsimit që të pezullojë mësimin në të gjithë vendin.
Sipas njoftimit të ministrisë pezullimi është vetëm për ditën e nesërme, në të gjitha institucionet arsimore të arsimit parauniversitar, pra të mbyllura do të jenë të gjitha shkollat 9-vjeçare, gimnazet, kopshtet e çerdhet.
Dita e humbur e procesit mësimorë do të zëvendësohet me një ditë tjetër.
Reshjet e shumta të shiut që kanë përfshirë të gjithë vendin ditën e sotme, ka filluar të japin edhe efektet e para negative, ku ndonëse janë marrë masat paraprake nga emergjencat civile, në disa qarqe situata ka filluar të vështirësohet.
Problematike mbetet edhe furnizimi me energji elektrike, në hidrovoret e Velipojës, në Shëngjin dhe në disa fshatra të Gjirokastrës. Pa energji elektrike kanë mbetur edhe zonat e Orikumit, Tragjasit dhe Radhimës, në jug të vendit.
Mungesa e elektricitetit ka shkaktuar probleme edhe sa i takon furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve në këto zona.