TIRANE - Një automjet tip "Passat" me targa AA 946 EF, në pronësi të një biznesmeni, është hedhur në erë pasi i është vendosur rreth 300 gr C4, pranë zonës së Liqenit të Thatë në Tiranë.
Report Tv ka siguruar pamjet e para nga vendi i ngjarjes ku duket automjeti krejtësisht i shkatërruar. Gazetari Driçim Çaka raportoi nga vendi i ngjarjes se nuk ka persona të lënduar nga shpërthimi pasi automjeti në momentin që është hedhur në erë ka qenë në parkim pranë një zone grumbullimi skrapi. Shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm dhe ka tronditur të gjithë zonën përreth.
Policia ka identifikuar dhe pronarin e automjetit, Ndok Rajta, 42-vjeç, administrator i një firme e inertesh. Ai ka dhënë dëshminë përpara uniformave blu ku mësohet të jetë shprehur se nuk ka konflikte me njeri, ndërsa ka theksuar se automjeti ka qenë i parkuar pikërisht pranë biznesit të tij të inerteve.