Një automjet u shkatërrua plotësisht mëngjesin e së enjtes nga aktivizimi një sasi tritoli në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:40 minuta në rrugën dytësore të Unazës Së Re pranë Liqenit të Thatë.
Nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar, ndërsa u dëmtua tërësisht makina si dhe u thyen xhamat e një objekti që ndodhet pranë vendit ku ishte parkuar automjeti.
Nga veprimet e kryera nga policia në vendin e ngjarjes, u konstatua se makina është në pronesi të Ndok Rajtës 42 vjeç nga Dibra banues në Tiranë. Rajta është pronari i një pike inertesh e cila ndodhet pikërisht pranë vendit ku ndodhi shpërthimi. Ai kishte parkuar automjetin dhe më pas ishte larguar me një mik të tijin për një kafe, jo shumë larg vendit të ngjarjes.
42-vjeçari i tha policisë se nuk kishte probleme apo konflikte. Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, policia konstatoi se autorët kanë aktivizuar një sasi prej rreth 100 gramësh tritol në pjesën e poshtme të automjetit. Dyshohet se mekanizmi i shpërthimit është realizuar me komandim në distancë. Deri më tani policia nuk ka persona të dyshuar për ngjarjen. Ai nuk rezulton po ashtu të ketë rekorde kriminale në Shqipëri.