Hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës janë 30 centimetra larg pikës kritike, ku KESH duhet të nisë shkarkimin e ujit. Koorporata Elektroenergjetike është përgjigjur zyrtarisht për Televizion Klan se pavarësisht situatës së motit në zonat përreth kaskadës së Drinit nuk do të ketë përmbytje, dhe nëse do të arrihen kuotat për të bërë shkarkime, ato do të jenë të kontrolluara. KESH thotë se niveli në liqenin e Shkodrës dhe në lumin Buna është mjaft i ulët, prandaj rreziku është minimal.
Aktualisht Fierza ka arritur në nivelin 268 metra, i cili sërish mbetet i ulët, ndërsa dy hidrocentralet e tjerë po arrijnë kuotat maksimale të lejuara për shkak të prurjeve në 850 m3 në sekondë në Koman dhe 150 m3/s në hidrocentralin e Vaut të Dejës.
Reshjet e paparashikuara të ditëve të fundit kanë përmbysur situatën në sektorin energjetik, duke detyruar KESH-in që të vendosë në punë të gjithë agregatët në hidrocentralet e saj dhe të shesë energji për dy ditët e fundit. Koorporata thotë se ka nisur boshatisjen e basenit të Komanit dhe Vaut të Dejës që prej ditës së hënë, ndërsa ka arritur të fitojë nga shitja e energjisë 1.2 milion Euro.
KESH ka njoftuar për tepricën e energjisë edhe kompaninë e shpërndarjes, që nëse do të ketë nevojë për energji shtesë, mbi atë të kontraktuar. Megjithatë mësohet se OSHEE nuk ka tërhequr ende 17.300 megavat/orë energji nga ajo që ka kontraktuar me KESH në fillim të muajit, për shkak të plotësimit të nevojave nga importi, kontrata të lidhura në fillim të muajit, kur askush nuk parashikonte situatën e reshjeve.