Identifikohen autorët e plagosjes së policit

2018-05-09 2

Ky është Daniel Manushi, 23 - vjeçari i dyshuar si autor i plagosjes së efektivit të policisë Ermal Bregu, mbrëmjen e të martës në rrugën ?Kongresi i Lushnjes?, në kryeqytet. Ai është shpallur në kërkim nga policia, si autor i dyshuar i vrasjes së mbetur në tentativë të policit, si dhe me akuzën e armëmbajtjes pa leje.

Veç tij, policia po kërkon edhe një bashkëmoshatar të tij të dyshuar si bashkëpunëtor.

Tv Klan ka mësuar edhe dinamikën e atentatit, ku polici mbeti i plagosur. Sipas hetuesve, Manushi dhe miku i tij dyshohet se ndodheshin në ambientet e një lokali. Ata e kanë quajtur Bregun spiun, për shkak të profesionit të tij si efektiv policie.

Kjo ka qenë pikënisja e një debati të fortë mes tyre që ka vijuar në rrugë.

Aty, 23-vjeçari ka nxjerrë pistoletën dhe ia ka vënë në kokë efektivit të policisë, por ai ka reaguar duke shmangur drejtimin e armës, e cila u shkrep dy herë.

Polici mori një plagë në dorë dhe një në bark.

Menjëherë pas ngjarjes u transferua në Spitalin e Traumës, ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas dëshmive të marra, policia arriti të identifikonte autorët e dyshuar të krimit, me të cilët Bregu mësohet se ka pasur debate edhe 2 ditë përpara ngjarjes.

Tashmë blutë, janë vënë në kërkim të bashkëpunëtorit të dytë të Manushit, i cili nuk është gjetur në banesën e tij mbrëmjen e të martës.

Tv Klan