Vetëm 5 nga 140 deputetë të parlamentit kanë kërkuar informacion pranë institucioneve për të marrë prej tyre shifra dhe fakte që mund ti përdorin në debatin parlamentar gjatë komisioneve, ose të enjten në seancën plenare. Sipas dokumentit që disponon Report Tv, kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe ka më shumë kërkesa, 6 të tilla.
Lista pasohet nga kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ermonela Felaj dhe ajo e Medias Albana Vokshi me nga 4 kërkesa. Ndërkohë që 2 kërkesa të tjera janë bërë nga dy deputetë të opozitës, Jorida Tabaku dhe Kejdi Mehmetaj.
Por çfarë informacioni ju kërkojnë deputetët institucioneve?
Sipas dokumentit parlamentar që Report TV disponon, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe i ka dërguar tre kërkesa drejtorisë së përgjithshme të tatimeve, dhe tre ministrisë së Bujqësisë. Nga tatimet ai kërkon listën e 100 kompanive me xhiron më të lartë vjetore në tre vitet e fundit, duke përfshirë dhe fitimin nga tatimi, si dhe mbi pagimin e sigurimeve shoqërore nga kompanitë që kanë marrë tokë bujqësore me qira.