Policia arrestoi 25-vjeçarin Inez Hajrulla, i plagosur të hënën në Vlorë në një atentat me eksploziv të telekomanduar në distancë. Gjatë kontrollit të kryer në automjetin me të cilin lëvizte i riu, policia sekuestroi një pistoletë të markës ?Glock?, me 17 fishekë.
Arma ishte futur në një çantë e cila mbahej nga i plagosuri. Ndaj tij është ngritur akuza e armëmbajtjes pa leje. Hajrulla është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar mjekësor. Mjekët konfirmojnë se nga shpërthimi ai ka humbur njërën nga këmbët dhe është plagosur në tjetrën. Aktualisht gjendja e tij është e stabilizuar ndërsa pritet t?i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale.
Hetimet për atentatin janë përqëndruar në mundësinë e përfshirjes së tij në aktivitete të paligjshme. Hetuesit po përpiqen të shkëmbejnë informacione me shërbimet policore të vendeve partnere, kryesisht në Itali. Në këtë vend po hetohet nëse Hajrulla apo të afërm të tij, mund të kenë qenë i përfshirë në aktivitete kriminale.
Po ashtu hetuesit po i kushtojnë rëndësi edhe pistës së përfshirjes së tij në grabitjen e ndodhur në vitin 2013, si dhe faktit se përse ai lëvizte me armë. Për këtë çështje ai ishte ende në gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë.