http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Policia e Vlorës arrestoi 25 Vjeccarin Inez Hajrulla, i cili mbeti i plagosur rëndë një ditë më parë, si pasojë e një shpërthimi me tritol në automjetin e tij.
Blutë e Vlorës thanë se pas kontrollit të automjetit tip fuoristradë u gjet një pistoletë tip Glock brenda një çante supi, si dhe një krehër me 17 fishekë.
Sipas policisë 25 vjecari është person me precedentë të theksuar kriminalë, si dhe i dënuar më parë në fushën e krimeve kundër personit, grabitjes me armë, por dhe trafikimit të automjeteve.
Në 20 Dhjetor 2016, i riu u arrestua po për të njëjtën vepër penale, atë të mbajtjes pa leje të armëve. Në momentin e kontrollit nga uniformat blu, Hajrulla e kishte hedhur armën në tokë pranë shkollës industriale, por policia tha se i përkiste 25 vjecarit.
Po ashtu në vitin 2013 Inez Hajrulla sëbashku me një person tjetër u dyshua se grabiti një kazino në qytetin e Vlorës, por u la i lirë për mungesë provash.
Nga ana tjetër, hetuesit dyshojnë se përfshirja e tij në një plagosje po në Vlorë disa vite më parë, mund të jetë shkaku i atentatit ndaj tij.
Deri më tani ende nuk ka një pistë zyrtare, por dyshohet se edhe ndërrimi i emrit nga Imer në Inez nga 25 vjecari është bërë për shkak të konflikteve të shumta që ai ka pasur.