Report TV - Aksidentohet eskorta e Ramës, 4 mjete dhe 5 persona të plagosur

2018-05-09 3

KORÇË - Aksidentohen në hyrje të qytetit të Korçës dy prej automjeteve, pjesë të eskortës së kryeministrit Edi Rama, teksa shoqëronin kreun e qeverisë për në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës.

Makinat e përfshira në aksident janë një "Toyota" dhe një "Mitsubishi" me targa të Ministrisë së Brendshme (makinat që qëndrojnë pas automjetit ku udhëton kreu i qeverisë). Automjeti tip "Mercedes Benz" ku udhëtonte Rama nuk ka pësuar asnjë dëmtim. Ka qenë fillimisht "Mitsubishi" me targa MB 277 AA i cili është përplasur me makinën "Golf 2" me targë AA 426 FD në emër të Aleksandër Naçi, i cili udhëtonte në sensin e kundërt. Më herët Golfi ka goditur "Range Rover" me targë AA 313 DX i cli udhëtonte përpara tij.

Pikërisht makina "Golf", sipas policisë, pas "Range Rover" ka goditur "Mitsubishin" e eskortës dhe më pas edhe "Toyota"-n, këtë fundit duke e nxjerrë nga rruga. Automjeti tip "Toyota", ku udhëtonin tre gardistë, ka përfunduar në kanal, pasi ka kapërcyer barrierat mbrojtëse të rrugës.